Para se të analizojmë dhe të shkojmë në përkufizimin e dhunës do doja të specifikoja që dhuna ka lindur bashkë me njeriun.
Kështu ne aspektin biblik, kemi historinë e Kainit dhe
Abelit, ku për arsye xhelozie vëllai arrin te vrasë vëllane.
Në rendin kronologjik dhe historik Kaini është dhunuesi I parë që njeh historia njerëzore dhe Abeli ështe viktima e parë e dokumentuar, fatkeqesisht ky akt dhunë do te ndiqej prej shumë njerëzve të tjerë për shumë kohe, duke arritur edhe ditët e sotme.
Dhuna në familje është një fenomen i përhapur në shoqërinë tonë. Ndodh mes partnerëve të ngushtë dhe ndodh në familje.
Ndodh në të gjitha klasat shoqërore, pavarësisht moshës, arsimit, fesë, gjendjes ekonomike, etnisë, ose identitetit kulturor.
Të dhënat zyrtare pas anketimeve më të fundit për dhunën në familje në Shqipëri tregojnë se të paktën 56% e grave kanë përjetuar një nga format e dhunës në familje.
Dhuna në familje është një sjellje e udhëhequr nga nevoja për të pasur kontroll. Mund të nisë nga kërcënimet, telefonatat bezdisëse dhe ndjekjet (si ndjekje e viktimës kur shkon e kthehet nga puna, dhe kërcënim), e deri tek marrëdhëniet seksuale të padëshiruara, goditjet, dhe në rastin më të keq, madje edhe deri në vdekje.
Dhuna në familje zakonisht nuk është një rast i veçuar dhe shpesh bëhet më e ashpër dhe më e shpeshtë me kalimin e kohës. Shumë dhunues nuk janë të dhunshëm në marrëdhënie të tjera, si për shembull në punë ose me miqtë.
Në mënyrë të përsëritur ata e mohojnë dhunën në familje dhe ashpërsinë e kësaj dhune. Kur ballafaqohen me sjelljen e tyre abuzive, ata kanë tendencën të fajësojnë partneren e tyre se i ka provokuar, ose refuzojnë të pranojnë përgjegjësinë.
Megjithëse ka një sërë faktorësh që çojnë në dhunë në familje, kjo gjithmonë është e lidhur me pabarazitë dhe çekuilibrin e pushtetit në marrëdhënie.
Shpesh abuzuesi shpreh keqardhje, dhe ti dëshiron të besosh që abuzimi nuk do të ndodhë më. Por më pas, ndodh përsëri e përsëri.
Ti do që të largohesh, por u druhesh pasojave. Dhuna përshkallëzohet nëse nuk ndërmerren masa për të ndryshuar situatën. Mos harro: cilat do qofshin rrethanat, dhuna nuk është faji yt.
Askush nuk meriton të abuzohet verbalisht apo fizikisht. Dhe megjithëse ligji nuk mund të të mbrojë krejtësisht nga dhuna në familje, mund të të ndihmojë që ti të mbrosh veten nga kjo dhunë.
Dhuna
psikologjike
– përfshin një gamë sjelljesh që kanë për qëllim të kritikojnë dhe poshtërojnë,
të mbajnë nën kontroll dhe izolojnë, të trembin dhe shkaktojnë frikë, dhe të
sulmojnë karakterin e një gruaje dhe të shkatërrojnë ndjenjën e saj të
vetë-vlerësimit, vetë-besimit, dhe sigurisë.
• Kërcënim psikologjik –kur gruaja kërcënohet dhe tek ajo shkaktohet ndjenja e frikës nëpërmjet kërcënimeve për ta lënduar fizikisht atë dhe/ose persona të tjerë të afërt me të, dhe/ose për të shkatërruar diçka të rëndësishme për të duke i tronditur kështu ndjenjën e sigurisë.
• Sjellje kontrolluese – kur gruaja shpërfillet, mbahet nën kontroll dhe izolohet, dhe të qenit xheloz dhe akuzimi i gruas se nuk është besnike, për t’ia tronditur ndjenjën e vetë-vlerësimit dhe vetë-besimit.
• Dhunë ekonomike – mbajtja nën kontroll e parave të shtëpisë, përfshirë edhe pagën e gruas në ato raste kur ajo është e punësuar jashtë shtëpisë.
Dhuna fizike – është përdorimi i forcës fizike kundër dikujt në një mënyrë që lëndon, dëmton, ose e rrezikon atë person.
Dhuna fizike përfshin një gamë të gjerë sjelljesh si gërvishtjet, shtyrjet, hedhjet, kapjet me forcë, kafshimet, vënien e duarve në fyt, pickimet, shpimet, shkuljet e flokëve, përdredhjet e krahut, shuplakat, shtrëngimin me forcë, goditjet, rrahjet, goditjet me shkelma, djegiet, goditjet me thikë, shtrëngimi i fytit/mbytjet.Dhuna fizike mund të përfshijë edhe përdorimin e madhësisë trupore dhe të forcës, mjeteve të kufizimit të lirisë dhe/ose armëve nga ana e një personi (p.sh., armë zjarri, thikë apo ndonjë objekt tjetër) për të fituar dhe mbajtur kontrollin mbi një person tjetër.
Katër lloje të ndryshme të dhunës fizike që mbështeten tek shkalla e intensitetit të dhunës dhe mundësia e shkaktimit të lëndimeve fizike jane:
• Dhuna fizike e moderuar – përfshin një ose më shumë nga veprimet e mëposhtme fizike: goditjet me shkelma, hedhjet tutje, shtyrjet, tërheqjet zvarrë, goditjet me shuplakë dhe/ose shkuljet e flokëve.
• Dhuna fizike e rëndë – përfshin një ose më shumë nga veprimet e mëposhtme fizike: goditjet, rrahjet, djegietme qëllim, marrjet e frymës ose mbytjet, dhe/ose kërcënimet me armë ose përdorimi i një arme kundër personit.
• Dhuna fizike me armë – përfshin kërcënimet dhe/ose goditjet me armë ose me ndonjë objekt tjetër që mund të shkaktojë lëndime fizike.
• Dhuna fizike me lëndime rënduese – përfshin dhunën fizike që i shkakton lëndim fizik një personi tjetër.
Dhuna seksuale – përfshin detyrimin, shtrëngimin ose tentativën për të shtrënguar një person për të bërë kontakt ose sjellje seksuale pa pëlqimin e tij.
Dhuna seksuale përfshin, por nuk kufizohet me përdhunimin bashkëshortor, sulmet në pjesët seksuale të trupit, detyrimin për të bërë seks pas ushtrimit të dhunës fizike ose trajtimi në mënyrë seksualisht poshtëruese.
Dhuna seksuale kryhet nga bashkëshortët dhe/ose partnerët intimë dhe nga anëtarët e familjes brenda kontekstit të martesës, të marrëdhënieve dashurore dhe familjes.
Dhuna ne familje ne Shqiperi
Në Shqipëri, dhuna në familje është një
problem që ndikon negativisht tek gratë dhe fëmijët, si edhe tek familjet dhe
bashkësitë megjithatë, shqiptarët priren ta konsiderojnë dhunën në familje si
një çështje private, familjare, dhe si një pjesë normale të jetës
bashkëshortore e familjare.
Duke qenë se dhuna në familje shpesh ndodh pas dyerve të mbyllura dhe nuk diskutohet, pranohet apo trajtohet hapur në shoqërinë shqiptare, viktimat përgjithësisht vuajnë në heshtje.
Dhuna në familje u shfaq si problem shqetësues në Shqipëri në vitet ‘90, kur vendi po përjetonte ndryshime të mëdha politike dhe shoqërore.
Në vitin 1992, Partia e Punës e Shqipërisë ia la pushtetin një parlamenti të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Ky ndryshim madhor politik e hapi Shqipërinë ndaj ndihmave, ekspertizës dhe investimeve të huaja, ndërkohë që vendi filloi procesin e shndërrimit dhe reformimit të strukturave të tij ekonomike, ligjore dhe politike.
Ky tranzicioni solli edhe një vërshim organizatash ndërkombëtare (oN) për mbështetjen e reformave dhe rindërtimit të vendit, si dhe krijimin e organizatave joqeveritare (oJQ).
Disa prej këtyre organizatave iu kushtuan çështjeve të grave, ku përfshihen dhuna ndaj grave dhe të drejtat njerëzore të grave. Ndonëse dhuna në familje kishte ekzistuar shumë kohë përpara kësaj periudhe tranzicioni, rastet e dhunës në familje pësuan rritje të ndjeshme në vitet ‘90, ndërkohë që familjet po përjetonin shumë strese dhe trysni si pasojë e tranzicionit (p.sh., nivele të larta papunësie, mungesa të mëdha në strehim, dhe shtim të trazirave shoqërore dhe krimeve të dhunshme në rrugë).
Dhuna në familje ndaj grave nuk është dukuri e re në Shqipëri; ajo i ka rrënjët thellë në traditat dhe zakonet patriarkale (p.sh. rolet dhe identitetet e ngurta gjinore, autoriteti patriarkal, respektimi i kodit të nderit dhe turpit, dhe kontrolli i disa brezave brenda familjes) që prej kohësh i kanë dhënë formë shoqërisë shqiptare.
Dyzet vjet të regjimit komunist në Shqipëri (1946–1991) nuk i zhdukën plotësisht këto qëndrime patriarkale të rrënjosura thellë, ndër të cilat edhe ato që lidhen me Kanunin e Lek Dukagjinit, i cili përdorej në disa zona të Shqipërisë.
Në fakt, burrat dhe gratë në disa zona të Shqipërisë ende i referohen Kanunit për të shpjeguar qëndrimet dhe pikëpamjet për rolet gjinore dhe autoritetin patriarkal, përfshirë të drejtën e burrit për ta “ndëshkuar” gruan, e cila konsiderohet si pronë e tij.
Që nga viti 1991, qeveria e Republikës së Shqipërisë ratifikoi një numër të madh konventash të rëndësishme.
Studime të ndryshme nxjerrin në pah se
është e vështirë të masësh nivelin dhe përhapjen e dhunës në familje, pasi ky
fenomen zhvillohet brenda familjes dhe konsiderohet si çështje familjare.
Si rrjedhojë, studime të ndryshme vlerësojnë se janë disa faktorë që mund të ndikojnë në raportimin e ulët të dhunës në familje, si p.sh.: turpi, frika nga ndëshkimi, normat kulturore, stereotipet që ekzistojnë për dhunën në familje etj., ndaj faktet dhe shifrat duhen parë me kujdes, pasi ato jo detyrimisht japin një pasqyrë të qartë lidhur me përhapjen në vend të dhunës në familje.
Në vijim, po paraqesim disa fakte dhe shifra që bazohen në studime të ndryshme, të cilat përshkruajnë përhapjen e dhunës në familje në Shqipëri, format e saj, profilin e viktimës dhe dhunuesit/es: faktorët që ndikojnë në ekzistencën dhe zhvillimin e këtij fenomeni.Në Shqipëri është kryer vetëm një vrojtim kombëtar për dhunën në familje, i realizuar nga INSTAT-i, me mbështetjen e PNUD-it dhe UNICEF-it.
Në këtë vrojtim (puna në terren u zhvillua në nëntor-dhjetor 2007), ku u përfshinë 2590 gra të moshës 15-49 vjeç, të paktën 56% e tyre deklaruan se kishin përjetuar të paktën një prej formave të dhunës në familje gjatë martesës së tyre ose në marrëdhëniet intime.
50,6% deklaruan se kishin përjetuar abuzim emocional në martesë ose në lidhjet e tyre intime, 39,1% kishin përjetuar abuzim psikologjik, 31,2% dhunë fizike dhe 12,7% kishin përjetuar dhunë seksuale. Më tej, nga 991 fëmijët e anketuar të moshës 10-14 vjeç, 57,7% raportuan se ishin rrahur fizikisht nga një anëtar i familjes.
Një tjetër studim për Dhunën ndaj Fëmijëve (UNICEF, 2006) ku u përfshinë 1500 fëmijë, 1500 prindër dhe 1500 mësues nga tetë qarqe të Shqipërisë, zbuloi një përhapje të gjerë të ndëshkimit trupor në shtëpi: 1 në 2 fëmijë pranoi se kishte qenë subjekt i dhunës në shtëpi kur ishte e nevojshme. Në Studimin Demografik dhe Shëndetësor 2008-09, INSTAT-i deklaron se tre të katërtat (75 për qind) e fëmijëve shqiptarë të moshës 2-14 vjeç kanë përjetuar forma të ndëshkimit fizik ose psikologjik.
Një studim mbi “Dhunën në familje dhe në komunitetet me etni të ndryshme” i zhvilluar në qarqet Vlorë, Fier, Berat dhe Gjirokastër, me një numër prej 426 të anketuarish ku u përfshinë burra dhe gra të moshës mbi 15 vjeç (202 të anketuar nga komuniteti në përgjithësi dhe 224 të anketuar nga komuniteti rom dhe egjiptian), zbuloi se
41 % e romëve dhe egjiptianëve pranojnë të
kenë përjetuar dhunë fizike; 34% dhunë psikologjike dhe 25% dhunë
socio-ekonomike.
Nuk ka të dhëna lidhur me përhapjen e dhunës në familje mes komunitetit LGBT. Sidoqoftë, bazuar në intervistën e thelluar me shoqatën ProLGBT, dhuna në familje në këtë komunitet rezulton të jetë më e shpeshtë ndaj meshkujve sesa ndaj femrave.
Deklarohet se mospranimi i orientimit seksual të tyre nga familjet është i lidhur shumë me presionin shoqëror ndaj gjithë familjes, duke e kthyer atë në faktorin kryesor për dhunën në familje ndaj anëtarëve të komunitetit LGBT.
Format e dhunës fizike dhe psikologjike shpesh janë të lidhura ose paraprijnë njëra-tjetrën dhe, si pasojë, shumica e viktimave i përjetojnë ato njëkohësisht pa qenë të aftë t’i ndajnë njëra nga tjetra.
Dhuna tek femijët
Vitet e fundit, sjelljet e dhunshme kanë
marrë përmasa të mëdha sidomos në zonat urbane prandaj dhe fëmijët kanë qenë të
ekspozuar ndaj dhunës në shtëpi, shkollë dhe komunitet.
Dhuna në familje është konsideruar si një formë e abuzimit të fëmijëve, ku fëmijët preken në mënyrë të pashmangshme nga ky fenomen.
Dhuna në shtëpi mund të marrë formën e një ose më shumë incidenteve traumatike që mund të shkaktojnë një ndryshim të papritur.
Ndryshime të tilla shpesh vihen re në sjelljen e fëmijës, si p.sh. agresiviteti, apo mungesa e respektit ndaj grave.
+Dhuna në shtëpi gjithashtu ndryshon mënyrën se si fëmijët mendojnë dhe ndjehen - për veten, familjet e tyre dhe jetën në përgjithësi.
Ata thonë se fëmijët janë vëzhgues të mirë
dhe interpretues të dobët, pra ata janë në gjendje të dëgjojnë dhe të shohin
atë çfarë ndodh, por ata nuk arrijnë të kuptojnë situatën si të rriturit.
Fëmijët mund të jenë të zemëruar sepse
nëna e tyre qëndron me një person të tillë, ata kanë frikë se ajo do të shkojë
përsëri tek ai, ose shqetësohen se ajo mund të njihet me një partner tjetër
abuziv.
Pra, fëmijët nuk mund të besojnë se nëna e tyre mund t’i mbajë ata në një ambjent të sigurt, madje mund të dyshojnë nëse ajo i do ata apo jo.
Cilësia e marrëdhënieve që prindërit dhe sidomos nënat, krijojnë me fëmijët e tyre që në fëmijëri, është një parashikues i rëndësishëm i zhvillimit të fëmijëve dhe të të gjitha marrëdhënieve që fëmija krijon gjatë jetës së tij.
Ndonjëherë fëmijët mund të zhvillojnë edhe disa besime negative që janë thelbësore për veten e tyre si p.sh. të pyesësh veten: "A jam unë dikush që meriton të jetë i lumtur?" Besime të tilla formohen që në fëmijëri dhe prindërit luajnë një rol të rëndësishëm gjatë këtij proçesi.
Hulumtimet tregojnë gjithashtu se fëmijët të cilët kanë qenë viktima të dhunës brenda familjeve të tyre kishin 24% më shumë gjasa të raportojnë sjelljen e dhunshme si adoleshentë sesa ata që nuk kishin qenë të keqtrajtuar.
Adoleshentët të cilët nuk kanë qenë të viktimizuar, por vetë ishin rritur në familje ku ndodhej një partner dhunues kishin 21% më shumë gjasa të raportojnë delikuencën e dhunshme sesa ata që nuk kanë qenë të ekspozuar ndaj saj.
Përpjekjet që janë bërë për vlerësimin dhe trajtimin e shëndetit mendor për të rinjtë të cilët kanë qenë dëshmitarë të dhunës kanë qenë shumë të kufizuara.
Hulumtime të kufizuara tregojnë gjithashtu se si pasojë e ekspozimit ndaj dhunës, fëmijët mund të jenë në rrezik të shfaqin simptoma të çrregullimit të stresit post-traumatik, depresion dhe ankth ndarjeje, hidhërim dhe agresivitet, dëmtime të marrëdhënieve ndërpersonale me kolegët dhe lidhjeve me bashkëmoshatarët dhe arritje të dobëta akademike.
Kjo është e mbështetur edhe nga gjetjet e studimit të Levendosky-t dhe bashkëautorëve të tij, ku fëmijët me një të kaluar dhune familjare janë të predispozuar për të shfaqur sjellje problematike ne ambjentin e jashtëm.
Në një tjetër studim me 103 fëmijë para-shkollorë të cilët ishin në rrezik të ekspozimit të dhunës në familje ndaj nënave të tyre, u gjet se dhuna në familje ndikonte negativisht në sjelljen ndërvepruese të fëmijëve me nënat, por e cila nuk ndikonte në raportimin e nënës për sjelljet problematike të fëmijës. Këto gjetje sugjerojnë se ndikimi i dhunës në familje fillon shumë herët duke reflektuar më shumë në fushën e marrëdhënieve të ndërtuara me nënën dhe individë të tjerë sesa në shëndetin mendor të fëmijës. Në një studim të Holden (1998), raportohet se dhuna martesore është e lidhur me një gamë të gjerë problemesh të sjelljes dhe përshtatjes si p.sh. probleme emocionale dhe të sjelljes së fëmijëve. Efektet e dhunës në familje janë cilësuar nga Rossman (2001), si efekte afatgjata, ku ekspozimi në çdo moshë mund të krijojë ndërprerje dhe çrregullime në të gjitha aspektet e zhvillimit të fëmijëve. Të jesh dëshmitar i një abuzimi të nënës nga partneri i saj për një kohë të gjatë, ndikon në perceptimin e fëmijës apo adoleshentit ndaj nënës si një viktimë e pambrojtur, emocionalisht e padisponueshme për të, një person vetëm me një autoritet legjitim prindëror, apo si dikush që nuk mund t'a mbrojë atë. Shpesh herë në këto raste ndodh një ndërrim i roleve, ku fëmija kalon në rolin kujdestar ndaj nënës së viktimizuar duke lënë pas të gjitha ëndërrat dhe dëshirat fëminore.
Dhuna në familje dhe çështjet e prindërimit
Dhuna ndaj grave është një kërcënim serioz
për shëndetin e grave në të gjithë botën. Një dhunë e tillë mund të ndërhyjë në
sjelljet e tyre prej nëne.
Ky problem i komplikuar me rrënjët e saj në marrëdhëniet bashkëshortore ka një ndikim negativ në prindërim.
Gratë që janë viktima të dhunës në familje kanë zakonisht vështirësi të përqëndrohen dhe në mënyrë efikase të punojnë me fëmijët e tyre; janë më të prirur për tërheqje dhe shmangie dhe injorojnë ndikimin e dhunës mbi veten dhe fëmijët e tyre.
Këto nëna rrezikojnë të vriten apo të
plagosen seriozisht dhe në shumicën e kohës ata vuajnë nga dhimbjet kronike,
depresioni, çrregullime psikosomatike, shtatëzani të padëshiruara, aborte
spontane dhe kështu me radhë.
Rolet që luajnë të gjithë pjesëtarët e një familjeje abuzive reflektojnë se si çdo person i përshtatet dhe mësohet me fshehtësinë, intrigat, dhe me situatën e rrezikshme në të cilën ata jetojnë.
Një njeri abuziv shkatërron përpjekjet e
një nënë për të prindëruar, qoftë duke e kundërshtuar atë, duke dobësuar
besimin e saj si një prind, apo duke ndryshuar pikëpamjen e fëmijëve të saj
ndaj nënës duke mos e konsideruar si një person të denjë për respekt. Ajo mund
të ndryshojë stilin e saj të prindërimit.
"Shumica e
grave zakonisht nuk e denoncojnë dhunën në polici: ata nuk e kuptojnë se ajo
është një vepër penale, dhe shumë prej tyre janë të dhunshme ndaj fëmijëve të
tyre - ata e shohin atë si një mjet edukimi”
Efektet e dhunës mund të vazhdojnë edhe pasi abuzimi ka ndaluar dhe efekte të tilla mund të jenë kumulative.
Rezultatet e një studimi (Albania Reproductive Health Survey) të kryer nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2002, tregojnë se 11.5 % e grave shqiptare mes moshave 15-44 vjeç kishin fëmijë dëshmitarë të abuzimit prindëror.
Gjithashtu individë meshkuj me të njëjtin profil shoqëror kanë raportuar se kanë vërejtur (47.4 %) dhe kanë përjetuar, (66.8 %) nivele të larta të dhunës si fëmijë.
Një sondazh i kryer nga profesionistë në
sektorin e shëndetësisë tregon një tjetër profil të një abuzimi të tillë. Ata
gjetën se 37 % e grave që jetojnë në Tiranë kanë përjetuar dhunë fizike, ku
femrat e moshës 25-34 ishin në rrezik më të lartë. Sipas gjetjeve të tyre, me
rritjen e nivelit arsimor të grave, rritej edhe rreziku për t’u abuzuar.
Gjithashtu edhe në familjet ku vetëm gratë ishin të punësuara, rreziku për t’u
abuzuar ishte më i lartë. Gjetje të tilla janë në
përputhje me teoritë që argumentojnë se dhuna është përdorur për të zbatuar
hierarkinë gjinore.
Në ditët e sotme, vihet re një shqetësim i
madh ndaj efekteve të dhunës mbi fëmijët dhe një vëmendje e kufizuar i
ushtrohet efektit të dhunës ndaj nënave dhe prindërimit të tyre.
Shqetësime të tilla kanë qenë gjithmonë të përqëndruara më shumë tek fëmijët se sa tek gratë që luajnë një rol kyç në mirëqenien e fëmijëve të tyre.
Megjithëse disa studime tregojnë se dhuna në familje nuk ka një ndikim të madh në sjelljet prindërore ndaj rritjes së fëmijëve, kjo nuk do të thotë se cilësia e prindit mbetet e njëjtë si në një ambjent të dhunshëm ashtu edhe në familje jo të dhunshme.
Për shembull, nënat e fëmijëve të ekspozuar ndaj dhunës në familje në fakt tregojnë një rritje të madhe të përdorimit të disiplinës pozitive dhe një rënie të lehtë në sjelljen e butë dhe të ngrohtë në krahasim me nënat e fëmijëve jo të ekspozuar ndaj dhunës.
Gjithashtu, është gjetur si i arsyeshëm ndërmjetësimi i lidhjes mes dhunës në familje dhe sjelljes prindërore nëpërmjet përfaqësive të brendshme mendore të nënës, ndaj vetes së saj, fëmijës dhe përkujdesjes së saj.
Ndonjëherë, gratë ndjehen si në kurth dhe ata luftojnë për mbrojtjen e fëmijëve të tyre nga abuzuesit. Në këtë kontekst, nëna luan një rol të rëndësishëm në mënyrën se si fëmijët ndikohen nga dhuna.
Shumë studime janë fokusuar më shumë në gratë e abuzuara ku në lidhje me prindërimin, ata janë konsideruar si nëna të falimentuara. Një numër i pakët studimesh janë bërë rreth efektit të dhunës në familje mbi përvojat e prindërimit nën rrethana të tilla, pavarësisht nga pozita e nënës.
Fenomeni i dhunës në familje mbetet një
problem shqetësues dhe i përjetuar nga gati gjysma e popullatës urbane dhe
rurale.
Dhuna në familje pësohet më shumë nga femrat sesa nga meshkujt, nga të rinjtë deri në 24 vjeç më shumë sesa ata mbi 24 vjeç.
Shumica e viktimave janë me arsim bazë ose të mesëm, të papunë, të martuar dhe jetojnë në familje të mëdha me të ardhura të pakta mujore.
Bazuar në deklaratat personale të banorëve të këtyre pesë qarqeve, dhuna në familje ka ndodhur më tepër mes banorëve në qarkun e Durrësit, Tiranës dhe Vlorës sesa në atë të Korçës dhe Shkodrës.
Kjo mund të jetë rezultat i popullatës më konglomerate, me banorë të rinj të ardhur pas viteve ’90 në Tiranë, Durrës e Vlorë.
Nga ana tjetër, Durrësi e Vlora janë
qytete portuale, çka krijon një tjetër dinamikë të zonës. Kurse Shkodra dhe
Korça janë zona më tradicionale dhe më tepër praktikantë të besimit fetar. Sipas
deklaratave të komunitetit, forma më e përhapur e dhunës në familje është ajo
emocionale, pasuar nga dhuna psikologjike. Të dyja këto forma shihen si më “të
lehta”, më të zakonshme, të pranueshme dhe gati të pashmangshme në jetën
familjare, si pasojë janë edhe format me më pak gjasa për t’u raportuar. Dhuna
fizike është deklaruar të jetë përjetuar nga më pak njerëz, dhuna seksuale nga
akoma edhe më pak. Të dyja këto forma shihen si më “të rënda”, por stigma që i
shoqëron ato është e lartë, ndaj edhe këtu gjasat e raportimit janë të ulta,
por gjithsesi më të larta sesa abuzimi emocional e psikologjik.
Grupet më të riskuara nga dhuna në familje rezultojnë të jenë:
• Fëmijët, si pasojë
e pafuqisë së tyre dhe botëkuptimit prindëror në lidhje me pranueshmërinë e
dhunës
• Gratë, për shkak
të fuqisë fizike të kufizuar, mentalitetit dominues mashkullor dhe pamundësisë
për pavarësi ekonomike
• Të moshuarit,
kryesisht pre e shfrytëzimit ekonomik nga fëmijët e tyre
• Familjet që
jetojnë në varfëri
• Komuniteti rom dhe
egjiptian, pasi dhuna në familje jo vetëm shihet si një sjellje relativisht e
pranueshme, por edhe sepse rëndësia e saj zbehet prej diskrimiminit shoqëror
dhe problemeve të shumta social-ekonomike që kanë këto komunitete.
Dhunuesit janë kryesisht meshkuj, bashkëshortët
e viktimave, kurse gratë dhunuese të bashkëshortëve janë raste shumë të pakta.
Prindërit që dhunojnë fëmijët janë raste më të shpeshta sesa fëmijët që
dhunojnë prindërit (kryesisht këta të fundit të moshuar)
Ka një sërë arsyesh sociale, kulturore e psikologjike që ndikojnë në mosraportimin e incidenteve të dhunës në familje. Arsyeja më kryesore e mosraportimit të këtyre rasteve është shkalla e ashpërsisë së rastit, e perceptuar si e ulët.
Pra, viktimat të cilat zakonisht pësojnë abuzim emocional dhe/ose psikologjik, kanë prirjen të durojnë dhe justifikojnë incidentin dhe të mos e raportojnë tek autoritetet.
Arsyeja e dytë më kryesore është qëndrimi i viktimave duke e trajtuar këtë rast vetëm si çështje familjare, e cila duhet të mbetet e tillë dhe të zgjidhet Brenda familjes. Dhe arsyeja e tretë kryesore e mosraportimit është shpresa që kanë këta individë se rasti i dhunës do të jetë i izoluar, dhe jo i përsëritur. Për më tepër, vetë komuniteti ka më pak të ngjarë ta nxisë raportimin zyrtar te policia, pavarësisht nivelit të lartë të besimit ndaj këtij autoriteti.
No comments:
Post a Comment